
Punimet për Qukës–Qafë Plloçë me kosto 240 mln USD drejt përfundimit, hapet në vjeshtë
Projekti i aksit rrugor Qukës–Qafë Plloçë, me një kosto përfundimtare prej 240 mln USD, po i afrohet përfundimit.
Sipas Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), inaugurimi i rrugës pritet të bëhet në tetor 2025, pas më shumë se një dekade punimesh dhe disa shtyrjesh afatesh.
Ky projekt infrastrukturor strategjik për zonën e Mokrës u projektua në vitin 2009 nga qeveria e asaj kohe dhe filloi zbatimin në terren në vitin 2011. Në vitin 2013, pas ndryshimit të qeverisë, projekti u rishikua për të reflektuar zhvillimet e reja në infrastrukturë. Fillimisht ishte parashikuar të përfundonte në vitin 2019, por deri më sot afatet janë shtyrë katër herë, për shkak të vështirësive teknike dhe financiare.
Përparimi i punimeve në terren
Monitor përshkoi së fundmi në terren këtë aks rrugor, duke nisur nga hyrja në fshatin Qukës të Librazhdit, ku rezulton se ndryshe nga një vit më parë, hyrja është tashmë e sistemuar. Rruga vazhdon nëpërmjet fshatrave të Mokrës. Deri në fshatrat Podgozhan dhe Kalivaç të Mokrës së Sipërme (pranë tunelit), rruga është pothuajse e asfaltuar plotësisht. Ndërsa dy tunelet të ngritura përmes maleve që mundësojnë nxjerrjen për në Qafë–Plloçë, i cili deri vitin e kaluar ishte i pakalueshëm, është tashmë funksional.
Që nga muaji korrik, rruga ka nisur të përshkruhet nga banorët e zonës për lehtësi dalje në qytetet e Pogradecit apo drejt Korçës, duke evituar kalimin nëpërmjet rrugës së vjetër të paasfaltuar. Ndryshe nga aksi i vjetër, pasi le pas fshatrat e Mokrës së Sipërme, rruga mund të përshkohet përmes dy tuneleve të ndërtuar ndërmjet maleve të thepisura, duke e bërë të mundur arritjen në aksin Qafë–Plloçë për rreth 15 minuta.
Progresi fizik i punimeve sipas ARRSH
Aksi përfshin tre seksione.
Seksionet I dhe II të këtij aksi, që shtrihen nga hyrja në Qukës të Librazhdit deri në daljen e tunelit në Mokër, përbëjnë një gjatësi totale prej 33.8 kilometrash. ARRSH tha për Monitor se në këto dy seksione janë realizuar 97% e punimeve.
Ndërkohë, në seksionin III të rrugës, nga dalja e tunelit deri në Qafë–Plloçë, ende mbeten disa pjesë të pa asfaltuara, kryesisht deri në kryqëzimin në formë “T”, ku rruga ndahet majtas drejt fshatit Gështenjas të Pogradecit për të vijuar më tej drejt Tiranës, dhe djathtas drejt Korçës.
ARRSH sqaroi se në seksionin e tretë të aksit janë realizuar aktualisht 90% e punimeve.
“Punimet e parealizuara në 3 akset e rrugës, kryesisht kanë të bëjnë me hedhjen e shtresave asfaltike, mbushje karpatash, dhe vendosja e sinjalistikës rrugore në disa pjesë të rrugës, pasi në pjesën dërmuese të aksit sinjalistika rezulton e përfunduar. Ndërsa veprat e rrugës, përfshirë urat, muret mbrojtëse dhe tunelet kanë përfunduar”, pohuan nga ARRSH.
ARRSH gjithashtu pohon për Monitor se inaugurimi i punimeve pritet të bëhet në muajin tetor 2025.
Nga inxhinierë të njohur shpesh herë punimet për këtë rrugë janë kritikuar, madje e kanë cilësuar si të papërshkrueshme gjatë stinës së dimrit për shkak të ngricave. ARRSH siguron gjithashtu se rruga do të jetë e kalueshme edhe gjatë dimrit, falë kontratave të mirëmbajtjes të lidhura me nënkontraktorët që do të jenë aktivë që nga ky vit.
Kostoja dhe financimi
Në fund të vitit 2022, ARRSH deklaroi më herët për Monitor se fatura financiare kishte arritur në 217 mln USD, për 73% të realizimit të punimeve, përfshirë dhe një hua shtesë prej 49 mln USD nga Fondi Saudit për Zhvillim. Sot, kostoja përfundimtare e projektit sipas ARRSH llogaritet në 240 mln USD.
Nga kjo shumë:
-Vetëm 2.9 km të segmentit janë ndërtuar me fonde të buxhetit të shtetit (vlerë 4-5 milionë USD).
-Pjesa tjetër është financuar nga kredia e Bankës Islamike për Zhvillim (IsDB) dhe Fondit Saudit për Zhvillim.
Pavarësisht zhvillimit që pritet t’i sjellë zonës së Mokrës, e cila mbështetet në blegtori disa inxhinierë kanë kritikuar kostot e larta të ndërtimit të rrugës. Fillimisht sipas tyre projekti parashikohej të kushtonte 150 mln USD, por për shkak të terrenit të thyer malor, kostoja u rrit ndjeshëm.
ARRSH e ka pranuar vështirësinë teknike të realizimit, duke theksuar se terreni i thyer ishte një nga faktorët kryesorë që solli shtyrjet dhe rritjen e kostove të punimeve.
Projekti parashikon ndërtimin e:
-43.3 km rrugë, me gjerësi totale 12 metra (2 korsi × 3.75 m, 2 bankina asfaltike × 1.5 m dhe 2 bankina të pa asfaltuara × 1 m).
-Më shumë se 20 ura e viadukte, mure mbajtës dhe pritës.
-Një tunel me gjatësi 375 metra.
-Rruga kalon për 10 km përgjatë lumit Shkumbin, për të vijuar më pas në zonën malore të Mokrës.
Financimi është ndarë në:
-Lotin 0 (0.0 – 2.9 km): me fonde nga buxhetit i shtetit.
-Lotin 1 dhe 2 (2.9 – 33.8 km): financuar nga Banka Islamike për Zhvillim.
-Lotin 3 (33.8 – 40.5 km): financuar nga Fondi Saudit për Zhvillim.
Ky aks do të jetë gjithashtu pjesë e Korridorit VIII Pan-Europian, duke krijuar lidhje të rëndësishme në infrastrukturën kombëtare dhe ndërkombëtare.
/Monitor (https://monitor.al/punimet-per-qukes-qafe-plloce-me-kosto-240-mln-usd-drejt-perfundimit/)
Më të lexuarat








